Pas Vdekjes Poem by skender iljaz braka

Pas Vdekjes

Pas vdekjes...

Një vajzë, mollëzat e gishtërinjëve bren
Me dhëmbët e saj prej kokërrizash të imta fildishi.
Flokët shkul dhe nduk një grua aty pranë
si të jenë mustaqe të gjata e të njelmëta misëri..
Ndërsa një djalë, me thëmbrën e këmbës tokën grryen
Asgjëje të ndodhur si beson,
thuajse prej vargjeve të tua
përbrëndshëmi i vjen ngushëllimi.

Kështu të përcjellin ty në botën e përjetshme.
Brëndësis së dheut të lutjeve dhe rënkimeve tona.
Në hirin e ftohtë ku shpirtat e kreshpëruar
lulëzojnë në të njëjtin livadh me luledelet dhe vjolat.

Më pas do të këndohen për ty shumë këngë.
Do të tregohen si legjendat mitike ca të tuat bëma.
Por pas kësaj s'do të rrinë pa u gjalluar dhe gojë të liga,
që kafenesh e skutash të errëta do të thurrin intriga,
ende pa u tharë eshtërat e tua të njoma.

Do të kujtojnë si bujkun e plagosur që me thonjë
pastronte plagët e maisura të tokës.
Lumturinë tënde therëse për artin e shërimit të shpirtit.
Do të kujtojnë metrikën e çrregullt të hiteve
Ku ti të hapur na le deriçkën e ndryshkur të enigmave,
Tok me çelsin e çkyçjes së diagramës së jermit
dhe ngurosjes së sifilizit.

Në vajin tonë të përjetshëm do të kthehet kënga jote.
fshehur lëpiskave të argjëndëta dhe aheve të korijes.
Sepse ti në këmbë doje të vdisje,
si djemt e rrahur përpara altarit të Artemisës së Orties.

Friday, June 27, 2014
Topic(s) of this poem: art
COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success