Duart Drejt Teje Zgjas... Poem by skender iljaz braka

Duart Drejt Teje Zgjas...

Atdheu im.
Në këtë përvjetor të 100-të.
Përpara gjunjëve të tu përulem dhe hesht.
Hesht me heshtjen e luftëtarit plagshumë,
shkuar mendueshëm shtegut të thiktë të grykës së varrit.
Me nofulla shtrënguar prej shpirtit gjëmimtar.
unë dorën time eshtake drejt teje zgjas,
për të fshirë bulëzat e përgjakura të djersës,
rënë mbi rrudhat e lëmuara të ballit.

Eh, moj shtëpiza ime, e vogëla zë kumbuese.
Shikim egëra me aromën e manushaqes së fjetur.
Dhimbja për ty më shkoi gjer në pikën e fundit të lotit.
Dashuria për gjithçka tënden kaq të shënjtë,
më shkoi gjer në kufirin e fundit të shpirtit tim të djegur.

Zgjas dorën të përgëdhel duke iu frikur lëndimit.
Ulërima të gjakosura dallgësh zgjohen rrudhave të tua.
Marrin hov e brofin ca stuhi të heshtura, të tërbuara,
që prej gjoksit të coptuar të ngrihen me rrapëllima.

Oqean i shndërruar në shkëmb stralli mbete atdheu im.
Asht i thatë mes shqotash e tramundanash të shfrenuara.
Mbete zhuri i ashpër ku lotoi e kokën mbështeti Ajkuna.
Zulma e heronjëve dhe lëngata e plagëve të pashëruara.

Zgjas dorën të përgëdhel buzën tënde të djegur.
Sepse dua të them Gëzuar në këtë të qindin përvjetor.
Unë adhuroj çdo grimcë të dheut tënd të ashpër e të etur.
Copëzën e varfër të bukës, bujkun e vobekët, madhështor.

Thursday, July 3, 2014
Topic(s) of this poem: art
COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success