Këtij viti, ca më rëndë do ti mbështetem
shkopit tim prej thane të thatë.
Do ta ndjej ca më tepër të ftohtin e murranit.
Por le të fryje, e shiu me vetëtima le t'më lag.
Unë i tretur kam qën e do të mbetem gjer në kockë.
S'do ti trëmbem gjëmimeve dhe britmave të djallit.
Këtij viti po atë udhë të pambarimt ë gjatë do të ndjek.
Në po ato thepina shtegu do të ngjithem ngadalë -ngadalë.
Si një sy i verbëruar pas gjurmës së padukshëme të shejtanit.
Në vevete duke u tretur si shqiponja e plakur në mal.
Prej peshës së dhimbjeve do të krrusem dhe më pak.
E mbi det do të dëgjoj po ato klithma krillash të përgjakura.
Por fundja, një qyqe mbi degë të blerta pishe
mëngjesit herët prej gjumit do t'më zgjoj.
E buzëmbrëmjesh me sy trishtueshëm do të ndjek,
po ato anije, që humbasin horizonteve të përflakura.
Paskëtaj erërat e vjeshtës prap do të fryjnë.
Vetmitar do të bie të fle në shtratin tim të ftohtë.
Por derën e shtëpisë që mbaj hapur, sërishmi s'do ta mbyll.
Qoftë dhe një udhëtar i lodhur lehtaz të më gjej
e hallin shpirtdërrmues, si sqota e dimrit të hershëm,
me qetësinë e tij topitëse, t'ma derdh mbi fytyrë.
Edhe këtë vit do të ngrihem herët në mëngjes.
Mbi det përsëri po ajo mjegullë e bardhë do të bjerë.
S'do tkurrem për ti dhënë dikujt një kafe të ngrohtë.
E di se nga unë, ai është shumë herë më i mjerë.
Më i mjerë se një dre i vetmuar, me sy të mbushur me lot.
Dhe ky vit kështu do të shkoj si shumë të tjerë.
Si moçali i mbuluar prej xunkëthit të dëndur.
Oh, natë e bukur, e magjishme, kaltëroshe,
përse më nxin e më bëhesh kaq terr?
This poem has not been translated into any other language yet.
I would like to translate this poem