Dyrrah - Varri Im I Madh Poem by skender iljaz braka

Dyrrah - Varri Im I Madh

Qyteti im - bir i Melisës dhe hyut të detit,
në tre mijë vjet me frymën tënde jam rritur,
jam rritur në furinë e vazhdueshme të rrëmetit.
Në tre mijë vjet kam pirë lotët e tu të kripur,
buzë detit duke vështruar sytë e tu të vdekur.

Sa herë prej vendit ke lëvizur, qyteti im,
prej tërmetesh të llahtarshëm i rrënuar.
Po këtu ku më ke lindur, më ke gjetur,
me shpirtin tënd prej Taulantësh të mëkuar.

Mijëra vjet, qyteti im, të kam pyetur.
Ti veç ke heshtur me heshtjen tënde
prej dheu të kripur e bregu të përcëlluar.
Klithmës sime të çmendur s'i je përgjigjur,
por krahët e përgjakur katërsh m'i ke hapur
e supit më ke mbështetur ballin e përhumbur.

Në rrahur prej algash ma shtrove shtratin prej guri.
Shtratin shekullor që Epidami thellësive kish ngulur,
mbi shkumëzimet e shndritshme
e të vetmuara të detit të tërbuar.
Netëve të kthjellta aty kam fjetur,
duke ëndërruar futurimin mbi krahët e trandafiltë,
të jetës tënde të pagjunjëzuar.

O varri im i madh!
O varr gjysmë i mbuluar!
Në tre mijë vjet,
gjithë mendinet e mia për ty kam kryqëzuar.

Gjymtyrëve të tua të djegura kam vrapuar i përvëluar,
duke iu frikur përherë fuqisë tënde të zemërimit.
Prej fashitjes së menjëhershme të një ëndërre jam zgjuar,
ty të kam përqafuar nën tejdukshmërinë e perëndimit.


Një herë e një kohë ka qënë shkëlqimi yt,
më i tejpashëm e më i thellë se flakërimi i dallgëve,
fytyra jote prej mermeri të kuq,
më e freskët se gjoksi i bëshëm e qumështor i një vashe.
Madhështia jote, qytetërime ka lënë të mahnitur.
Gjymtyrët e lëmuara të luanin shpesh me valët
e dielli ngazëllehej me fytyrën tënde
prej perëndeshe të skalitur.

Tani rreth murit, prej zjarrit të rreshjeve gërryer,
bari yt i blertë prej kohe është zverdhur e zhuritur.
Por deti përsëri mes vështrimesh të rënduara,
me baticat dhe zbaticat e tij të buta,
të përkëdhel e të puth si me gjuhë valësh i uritur.
Kujdesshëm të mjekon plagët e pashëruara,
që ti kurrë të mos vdesësh, qyteti im,
por të mbetesh si i gjallë mes të gjallësh.

Dorën një herë të vetme s'ma ke zgjatur.
S'më ke përkëdhelur kurrë si fëmijën tënd të uritur,
dhe kur me zë të lartë, për gurët e tu kam kënduar,
kur kam kënduar për hirin e perëndive pellazgjike.
Kur mbi shkrimet e sargofagëve të mbyllur
sytë më janë verbuar, përsëri po aty janë ripërtëritur.

O varri im i madh!
O varr gjysmë i mbuluar!
Në tre mijë vjet.
Gjithë mendimet e mia për ty kam kryqëzuar.

Tuesday, July 15, 2014
Topic(s) of this poem: art
COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success