Shpit Kreshpëruar Poem by skender iljaz braka

Shpit Kreshpëruar

Shpit kreshpëruar

Vjeshta gjethe shtronte mbi rrasat e errëta të çative.
Ndërsa tutje mbi thepinat e shpatmaleve,
Jehona e këmbanës zëshuar të famullisë
Zërit drithërues të vajtojcave i përngjante.

Ty prej kohe nga trupi të kish ikur lumturia,
por veten të mundur nuk e ndjeve kurrë
as si një copëz dru të përzhitur flakëve
apo gurë të plasaritur nga rrebeshi e stuhia.

Fragmente të dhimbshme prrushi kullës i rrëmbeje,
e shtegut flisje veç me gjuhën e të vrarëve.
'Ti je perëndia ime ' me vete murmurisje…
teksa mendimet të shkonin tek fëmija,
tek pengu i pengut të të gjallëve.
Tek ca statuja të vendosur nëpër vënde të gabuara.
Tek ca kode të ngatërruara të gjakmarrjes.
Tek i vetmi varr, atje mes qindëra varreve.

S'të kish shkuar ndër mënd se kaq papritmas
do ta këpusnin degëzën e farës.
Ndaj loti t'a çante parmëndën e drunjtë të arës.
Ndër mënd s'të kish shkuar baca i Nikollajve
që e mesmërja jote do të ishte një fletëz e rënë.
Frëngjija e mbyllur e një kënge të djegur,
mishërimi më i trishtuar i Skeptërit kanunor.
Fabula e presuar faqeve të pahapura të një libri.
Ku shpirti vet kreshpërohet prej zëmërimit.

Me lahutë do të doje të këndoje buzëmbrëmjesh
Një këngë kreshnikësh rrethuar prej fëmijësh.
Një këngë të ardhur prej bardhësisë së maleve
me të gjëlbërtën e tij nën të, përherë të çelur.

Ish vjeshtë e ftohtë brënda dimrave të përjetshëm,
kur ti baca i Nikollajve shkoje përtej malit dhe vdekjes.
Mendueshëm prej tokave të harruara niseshe i vetëm
Me një pirg mendimesh të shprishura në kokë,
Për të gjetur udhën ku dielli është më i shëndetshëm.

Wednesday, June 11, 2014
Topic(s) of this poem: art
COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success