Shpirti im
nëse trupi më dhimbjen dot s'ta duron,
nëse turma e shfrenuar të tmerron e të mposht
nëse dhe qumështi i nënës ende të rëndon
i thartuar, në bark, kaq vjet i patretur,
nëse tradhëtia veç ka mbetur
e vetmja rrugë që të shpëtosh
nga një luftë që s'të përket e s'e beson,
tradhëto. Tradhëto atëherë shpirti im,
së pari veten tënde,
në këtë arenë njeringrënëse, aty,
mes kasaphanës, moho rolin që t'u dha
të luash në këtë skenë. Tradhëto
gjithçka që përballe në jetë.
Shkelmo çdo ëndërr që të bëri të përdorshëm
apo trim të përkohshëm.
Hidh tej pafajsinë që aq tinëz të përgjumi ndër vite,
ndërgjegjen,
që me pranga të ndrydhi e të mundoi kot,
çdo të vërtetë që të mashtroi
a çdo dashuri të cilën s'e mbrojte dot. Shpërthe
fort, i tërbuar, me klithma e ulërima,
pa kriter, pa faj e pa pendim, por sidomos
pa shpërblim. Thjesht, tradhëto.
Pëllite pabesinë tënde skifo, si lopë që po e therrin
gjer në kupë të qiellit të dëgjohet poshtërsia jote
dhe shpalle aq hapur sa ajo askujt të mos i vlejë
askush të mos ndjejë se mbeti i mashtruar prej teje.
Bëje tradhëtinë hingëllimë pa kuptim, këngë,
himn të marrëzisë, kujë
e aheng gazëtor të njerëzisë
aq sa t'u bien thikat nga të qeshurat kasapëve,
të gajasen turmat e ardhura për mish
e të përloten dhentë këmbëlidhura,
shtrirë për flijim.
Shkel çdo betim që bëre sepse
as si i mirë dhe as si i lirë s'jetove dot.
Qesharak tashmë,
mjeran i padëmshëm, qetësohu
dhe krejt lëshohu i çliruar, varur
në çengelin e sigurtë të vetmisë
që kurrë s'të braktis.
Pastaj shpirti im, një pasdite plot zagushi
lëre trupin tënd të ftohtë e të djersitur.
Nga dritarja dil
ik,
fluturo
si mizë pa synim.
Ulu më tej në ndonjë kanal e prehu.
Mizë pa moral që u end mbi gjiriz,
nga bajga në bajgë,
kandërr e lirë dhe e pështirë që askujt nuk i vleu
dhe, veç vetes së saj,
askujt s'i shërbeu.
2001
This poem has not been translated into any other language yet.
I would like to translate this poem