Kur ta jap zemrën
Kur ta jap zemrën…
mos dëgjo vetëm rrahjet
Dëgjoi dhe heshtjet.
Aty është frika
që s'më le të fle,
ajo që më kujton
se edhe më e bukura
ka dhimbjen brenda.
Aty është shpresa,
që ndizet kur gjithçka tjetër fiket,
Aty është besimi,
i ndërtuar mbi rrënoja,
me duar të gjakosura nga zhgënjimi,
e që prapë guxon të besojë
Aty është dashuria,
jo ajo që bërtet,
por ajo që rri e heshtur,
që pret, që fal,
që duron.
Aty është edhe urrejtja,
ajo që më ka mbetur nga vetja
sa herë kam falur ata që s'duhej.
Aty janë plagët…
jo të trupit,
por të shpirtit,
ato që nuk shihen,
por që dhembin kur era
ua largon pak pluhurin gabimisht
Aty janë ëndrrat e prera,
që presin të lidhen sërish,
Aty janë kujtime që më ndjekin në heshtje,
dhe përgjigje që s'i mora kurrë.
Aty janë lotë,
që nuk i pa askush,
sepse mësova të qesh
ndërkohë që digjesha.
Kur ta jap zemrën…
mos e merr si nder.
Mos e merr as si përgjegjësi.
Merre si amanet.
Se ajo që të jepet kështu,
s'është lodër, as stoli,
por gjithçka që ka mbetur
pas një beteje të gjatë.
Dhe nëse s'je gati t'a mbash,
largohu në heshtje…
pa e prekur fare.
Sepse…
në duar të gabuara,
edhe zemra më e gjallë…
vdes...
This poem has not been translated into any other language yet.
I would like to translate this poem