Mos më kërko pamjen në portrete
Kërko frymën atje ku fjala rreh,
Në çdo strofë ku shpalosen realitete
Në çdo rimë të metaforës që shpreh
Më kërko pas presjesh, pas pikash
Aty ku fjala merr frymë si fllad mali
Ku dhimbja nuk fshihet pas filtrash
Por derdhet e pastër si lot kristali
Më kërko nëpër vargjet e poezisë,
Ku fjala dhemb, por dhe ngushëllon,
Ku e vërteta s'ka nevojë për kornizë,
Kur buron nga një shpirt që i përjeton
Unë jetoj atje ku zemrat lexojnë,
Jo ku sytë shohin e shpejt harrojnë,
Jam tek vargjet me copëza jete
Jam tek strofat fletë pas flete.
Mos kërko në albume fotografishë,
Ku buzëqeshjet kanë ngrirë në kohë,
Më kërko nëpër vargje poezishë,
Ku shpirti përmes tyre do më njohë
Se fjala mbetet kur imazhi shuhet,
Në muret e kohës qëndron e shkruar
Aty ku poezia paloset pasi shkruhet
Aty do më gjeshë nën vargje mbuluar
This poem has not been translated into any other language yet.
I would like to translate this poem