(P.)
Ke lindur shumë më parë se unë.
Njëzet vjet të humbura mes nesh.
Njëzet vjet…
dhe s'di si ta kuptoj.
Kush i mbylli njëzet porta rresht?
Moti prej motit mbyllur me portë,
porta prej portës larg një mot.
Njërën shpërthej, mbyllet tjetra përtej…
Njëzet vjet s'i kapërcej dot.
Kush gaboi nga ne në qiell,
në qiell, kush gaboi nga ne s'e di.
Linda i vonuar unë
apo para kohe ti?
Garë të rëndë rrekem të bëj,
njëzet vjet ke që je nisur.
Prej teje s'e di se çfarë kërkoj.
Kohën...
tek të vdekurit gremisur.
Tani që erdha ti po fle
me fëmijët e tu përqafuar.
Është vonë, shumë vonë, njëzet vjet,
ndaj hesht
për të mos ju zgjuar.
Kam lindur shumë më pas se ti.
Njëzet vjet të vdekura mes nesh.
Njëzet vjet...
dhe s'di se çfarë të bëj.
Të kapërcej mbi njëzet varre rresht?
1992
This poem has not been translated into any other language yet.
I would like to translate this poem