Pushime Në Nicë - Novele - Erlet Shaqe Poem by Erlet Shaqe

Pushime Në Nicë - Novele - Erlet Shaqe

</>


Pushime në Nicë

Erlet Shaqe


“Si e do çajin, me sheqer apo pa sheqer? ” e pyeti Erieni Helenën, pak i çuditur që nuk e dinte tashme përgjigjen e kësaj pyetjeje.
“Pa sheqer, të lutem.” tha Helena teksa i hodhi një vështrim të shpejtë. Sytë e saj ngjyrë blu shndrisnin nën rrezet e diellit. Më pas ajo e hodhi vështrimin mbi Promenade des Anglais *.
“Epo, hidh sa të duash atëherë” tha Erieni. “ Unë do ta lë të ziejë edhe pak.”
“Mirë.”
Erieni vëzhgoi profilin e Helenës për një çast. Ai ishte i mendimit se hunda e saj ishte pak e madhe. Megjithatë ajo ishte shumë e bukur. Ajo ishte pa dyshim gruaja më tërheqëse me të cilën kishte dalë ndonjëherë. Padyshim që ishte një turp dhe fatkeqësi që kishte filluar të mos e pëlqente më.
Ai hodhi vështrimin tej derës së hapur të kafenesë. Ishte e vështirë të besoje se ishte muaji nëntor. Dielli brilant rrëzëllente mbi ujë. Një avion pasagjeresh vërtitej në qiell, shumë poshtë, duke gumëzhitur drejt aeroportit të Nicës. Një pulëbardhë u ul në majën e shtizës së flamurit dhe uli krahët. Policët me kapelet e tyre të basketbollit drejtonin turistët me biçikleta. Ishte një skenë tërheqëse, megjithëse Erieni tashmë ishte mërzitur me të. Mendoi për librin që kishte ne xhep. Titullohej “ Çështjet kryesore të Filozofisë” nga A. J. Ajer, të cilin e gjeti dje në një librari në Rue de France vetëm për 10 euro. Ai dëshironte ta lexonte librin në atë çast, por mendoi se Helena do të zemërohej. Ishte zemëruar një ditë më parë, kur pasi doli nga banja e veshur me këmishë dhe kilota e gjeti duke lexuar në shtrat. Ai vazhdonte të lexonte teksa ajo po vinte rrotull nëpër dhomë duke varur rrobat dhe duke parë sendet që kishte blerë gjatë ditës. Më në fund tha, “ Unë të dukem shumë e mërzitshme, përderisa preferon të lexosh atë libër.”
Erieni e kishte ulur librin. “ Më fal, ” tha ai. “ Isha thjesht duke i hedhur një sy kapitullit të parë ndërsa ti po bëje dush kur u përfshiva në paradokset e Zenos.’
'Çfarë? '
Ai i tregoi rreth Akilit dhe një breshke që do të bënin vrap. Nëse Akili do ta linte breshkën të nisej një hap më përpara, nuk do ta arrinte dot, sepse pavarësisht se sa afër saj do të ishte, breshka gjithmonë do të ishte në gjendje të lëvizte pak më përpara, kur Akilit ndërkaq i duhej të shkurtonte distancën ndërhyrëse.




• Promenade des Anglais- Promenade des Anglais është shëtitorja që bëhet përgjatë Mesdheut në Nicë, Francë.


“Por ky është budallallëk, ” tha Helena. “ Ai do ta kalonte. Ai nuk do të ndalonte.”
“Po, sigurisht, ne e dimë që diçka më e shpejtë mund ta parakalojë diçka që ecën më ngadalë. Ose besojmë se e dimë, sepse mund ta vëzhgojmë dhe na duket intuitivisht e drejtë. Zeno thekson se kjo gjë është jologjike, nëse e mendon nga ana matematikore. Nëse ti e ndan kohën dhe hapësirën në një mënyrë të pakufishme, atëherë në teori asgjë nuk mund të lëviz, sepse nuk ka rëndësi se në çfarë pikë lëviz prej asaj prej nga ku je nisur, imagjinon një pikë tjetër që është më afër.”
Helena po rrudhte ballin. 'Epo, nuk mund të jetë e vërtetë, thjesht po bën lojëra fjalësh.'
'Ndoshta mund të jetë kështu, por janë fjalët me anë të cilave në shprehim mendime, kështu që është interesante ti analizosh ato dhe të shohësh së çfarë supozimesh mund të bësh me anë të tyre.'
'Nuk e kuptoj arsyen pse duhet të flasësh për gjëra që nuk janë reale.'
“Çfarë është reale atëherë? Nëse fjalët nuk janë reale, çfarë është reale? '
Helena mblodhi supet. 'Nuk e di. Ky krevat për shembull'
'Atëherë do të thuash objektet fizike. Megjithëse konceptet ekzistojnë ashtu siç ekzistojnë edhe objektet fizike. Në njëfarë mënyrë ato janë më reale, sepse ne i krijuam vetë ato, ose së paku dukemi sikur jemi në gjendje ti mbajmë në mendjen tonë, kur ne mund të shquajmë botën fizike nëpërmjet shqisave tona. Dhe ne e dimë se shqisat tona shpeshherë janë të gabuara, si në rastin kur dehemi, drogohemi apo ndonjë gjë tjetër.'
Helena u fut në shtrat, por nuk i ktheu përgjigje. Erieni e hodhi Alfred Ajeri në dysheme dhe i ofroi prezencës fizike të Helenës vëmendjen e tij të pandashme për disa minuta. Kur më në fund u gjend sipër trupit të saj bëri shaka. 'Mbase ne mund ta kundërshtojmë paradoksin e Zenos në këtë çast, ' tha.
'Hë? '
'Unë do të lëviz gjysmë distance nga një pikë në tjetrën...'
'Mm...'
'Pastaj gjysmën tjetër të distancës... pastaj gjysmën tjetër... dhe sërish gjysmën tjetër... dhe... opa. Si tu duk? Nuk mund të shkoj më tutje.'
Erieni mendoi se kjo gjë ishte për të qeshur, ndërsa Helena duke e vështruar në sy i tha, 'Ndonjëherë bëhesh i çuditshëm.'
*
'Harrova të hedh çajin, ' tha Helena.
'A të kërkoj ujë tjetër të ngrohtë? ' tha Erieni, duke parë përreth për ndonjë kamarier.
' Jo s’ka gjë. Do ti hedh më shumë qumësht. A është mjaftueshëm për ty? '
'Po, është mirë.'
Erieni po e shihte teksa po mbushte filxhanët dhe po mendonte për heshtjen e saj. Ai po mendonte nëse ajo ishte më llafazane me të tjerët, me shokët e saj. Po a nuk ishte ai një shok për të?


'Atëherë, çfarë mendimi ke për Nicën? ' e pyeti ai. “ Tani e ke parë deri diku? ”
'Është e këndshme.'
Erieni uli kokën dhe e vështroi poshtë vetullave. 'Nuk mendoj se mund ta thuash këtë gjë.'
'Të them çfarë? '
'Të thuash që Nica është e këndshme. Tingëllon qesharake në anglisht. Sa e këndshme është Nica*.'
' Atëherë si e thua ti në frëngjisht? ' tha Helena më zë të ulët nga irritimi.
Erieni mblodhi supet. Ai nuk donte që ta fyente; mbase këtë gjë kërkonte. 'Nuk besoj se gjuha frënge të jetë kaq asnjanëse kur kërkohet të vlerësohet diçka. Me të vërtet mendon se është qytet i bukur? '
'Kështu mendoj'
'Atëherë duhet të thuash Nice est jolie.'
'Nice est jolie.'
'Po. Unë mendoj se kështu i thonë. Por ka qindra vende të tjera në Francë që ja kalojnë këtij qyteti.'
'Po ne tani jemi në Nicë, ' tha qetësisht Helena. 'Nuk të pëlqen? '
Erieni hodhi një vështrim përreth. Kolonat dhe shumica e mureve në Ca fe Promenade ishin të veshura me pasqyra. Ishte e vështirë të thoshe se sa i madh ishte ai vend, ose se cilat gjëra ishin reale dhe se cilat ishin reflektime. Ai pa veten e tij teksa po pinte çaj. Pa gjithashtu profilin e Helenës në krah ndërsa pjesën e pasme të kokës së saj të reflektuar më larg. Po dëgjonte sfondin e muzikës së Europop-ave për një moment dhe vuri re se njëri prej kamarierve po këndonte me vete. Ai dëshironte të thoshte se Nica i jepte një goditje në nëntor, sepse ishte një qytet i mbajtur mirë për invalidët e pasur. Ai kurrë nuk kishte parë kaq shumë farmaci në qendrën e ndonjë qyteti. Nica ishte artificiale, e rregulluar, e pastër, e kontrolluar dhe e zymtë. Por Helena kishte dashur të vinte këtu dhe ai kishte rënë dakord. Kështu që i kishte thënë 'Dakord. Koha patjetër që do të jetë e mirë. Është më mirë sesa të qëndrojmë në qytetin tonë duke parë se si bie shi dhe të presim të na përmbytet shtëpia. '
Ra heshtja. Që të dy hodhën vështrimin jashtë derës së hapur drejt Promenade des Anglais. Një maune kishte mbërritur dhe punëtorët po shkarkonin pengesat e trafikut. Policët që mbanin kapelet e basketbollit po ua bënin më dorë makinave të ngadalësonin. Një nga punëtorët po ecte në pjesën e pasme të maunes, ndërsa ajo po ecte përpara. Për një çast ata po lëviznin me të njëjtën shpejtësi por në drejtime të ndryshme. Burri duke sikur po ecte, por në të vërtete po qëndronte i palëvizur duke lëvizur këmbët me mjeshtëri drejt horizontit të largët të detit ndriçues me ngjyrë blu.



Një aeroplan po zukaste sipër kokës së tyre. Yjet me ngjyrë të artë në sfondin e flamurit të BE-së valëviteshin pa ndërprerje mbi shtizën e flamurit. Gjysma e kalimtarëve mbi fasadën e bregut të detit dukeshin sikur kishin veshur patina. Ishte një skenë e qetë dhe idilike, megjithatë Erieni ishte i mërzitur me të. Në atë çast u ndërgjegjësua për peshën e librit që mbante në xhep.

Ishte botimi i vitit 1948 të librit “Jeta dhe Dashuritë e mia” nga Frenk Heris, i botuar në Paris, me sa duket sepse ishte konsideruar i pahijshëm për pjesën tjetër të lindjes. Erieni e kishte gjetur në një kosh pazari në Rue de France për vetëm dhjetë euro. Ai kishte filluar ta lexonte atë libër në shtrat pikërisht dje kur Helena po bënte dush dhe vazhdoi ta lexonte edhe kur ajo hyri në dhomë e veshur me këmishë dhe kilota dhe po vinte vërdallë nëpër dhomë duke rregulluar gjërat.

'O Zot, ti mendon vërtetë që unë jam shumë e mërzitshme përderisa të duket ai libër i vjetër më interesant se unë' tha ajo pas një farë kohë.
'Jo, më vjen, sapo e mora për ti hedhur një sy dhe më tërhoqi.' Ai kaloi disa faqe. ' Dëgjoje pak këtë. 'Nëse një novelist duhet të merret më plotësimin përfundimtar të personazheve të tij, nga treqind faqe romani duhet të shkojë në pesëqind faqe. Dyqind faqe shtesë duhet të jenë më piktura që tregojnë anën seksuale të personazheve, të cilat i bëjnë ata të jenë të vërtetë' Çfarë mendimi ke? '
'Çfarë do të thash me këtë se çfarë mendimi kam? '
'A mendon se është e vërtetë që njerëzit shpenzojnë dy të pestat e kohës së tyre duke menduar për seksin? '
'Jo. Megjithatë nuk e di. Po ti si mendon? '
Erieni po vriste mendjen. 'Unë mendoj për të shumë, ' shtoi ai. “Në të vërtetë më shumë së ç’mund ti pranoj vetes, kam parasysh ditën e sotme, për shembull, të kam vëzhguar gjatë gjithë kohës dhe nuk më është hequr nga mendja se sa e mahnitshme do të ishte sikur të ishim vetëm, të të shihja të zhveshur dhe të të prekja. Kur jemi në vende publike kjo është gjëja më fantastike që dëshiroj të bëj.'
Erieni u surpriza kur pa Helenën të skuqej..
'Nuk ma merr mendja se ti mendon për të bërë seks më mua dy të pestat e kohës, ' tha ajo.
'Epo, është e vërtetë. Gjithsesi, po mendoj edhe në këtë moment. Ndoshta do të resht së menduari nëse do kemi njëzet vjet bashkë. Ose dy vjet. Ose madje edhe dy muaj.'
Helena morri një jastëk dhe ia hodhi në kokë duke rrëzuar Frank Harrisin në tokë. Erieni ja hodhi mbrapsh. Pas tre minutash ai i hoqi kilotat, por nuk ia hoqi këmishën. Ndaloi pikërisht në momentin kur do ta penetronte.
'Duhet të flasim më shumë për seksin, ' tha ai. 'Duhet të më thuash se çfarë të pëlqen. Përndryshe do ta merr vetë më mend.'
'Dakord, ' iu përgjigj Helena. ' Edhe ti më thuaj se çfarë të pëlqen.'
*
'Të pëlqen të pish vetëm çaji i zi apo do Mëngjes Anglez? ' Tha Erieni, duke inspektuar koshin e qeseve të çajit që ua kishte lënë kamerieri. 'Nuk ka rëndësi midis këtyre të dyjave, por nuk do të marr çaj Earl Grey. E urrej atë lloj çaji, me se bëhet, me qitro apo me çfarë. Ka shijen e barit të molës.'
'Duhet të na kishin sjellë dy çajnik të vegjël, ' tha Helena. 'Pastaj secili prej nesh mund të zgjidhte.'
'Ke të drejtë. Megjithatë ne kemi vetëm një çajnik të madh dhe duhet të biem dakord. Kështu ndodh kur je në çift. Duhet të bësh një kompromis për ti ndarë gjërat.'

'Epo, unë kam bërë kompromis duke mos shkuar në plazh për të bërë banjo dielli pikërisht në këtë çast'
'Nuk mund të bësh banjo dielli në mot të vrenjtur, pavarësisht se sa nxehtë bën. Nuk është zakon prej xhentilmeni.'
Helena qeshi dhe Erieni ia nguli vështrimin tek sytë e saj me ngjyrë blu të thellë duke i vlerësuar për një çast. Atij iu kujtua se kishte parë të njëjtën ngjyrë blu, pak orë më përpara në Muzeun Matisse. Një blu të zhveshur.
Ata të dy hodhën vështrimin jashtë derës së kafenesë tek Promenade des Anglais. Fëmijët me biçikleta me tre rrota vinin vërdallë zonjave të moshuara më shkop. Qentë e vegjël përshëndesni njëri tjetrin, duke kërcyer derisa arrinin në fund të zinxhirëve të tyre, ndërsa pronarët e tyre shiheshin me kënaqësi. Rretë e bardha të ndërprera nëpër qiellin me ngjyrë blu të lehtë po lëviznin mbi detin e ndritshëm. Një aeroplan pasagjerësh po zukonte ngadalë përgjatë Baie des Anges, duke iu fshehur aeroportit. Erieni u ndje i përgjumur. Iu kujtua libri që kishte filluar të lexonte kur ishte në dhomën e hotelit, një kopje e gjendur e “Natyra e Ekzistencës” të J.E. McTaggart që e kishte gjetur në shportën e librave të përdorur në Rue de France për vetëm dhjetë euro. Helena ishte hedhur në shtrat pranë tij pasi kishte bërë dush dhe e kishte parë mbi shpatulla gjatë kohës që po thante flokët..
'Çfarë dreqin po lexon? ' e pyeti pas një farë kohë.
'Një libër të një filozofi të quajtur Mc.Tagger. Kam dëgjuar për të, por asnjëherë nuk kam lexuar ndonjë gjë ai kishte shkruar. Ai është i famshëm për të provuar se koha nuk ekziston.'
'Ashtu. Si arrin ta provojë këtë gjë? '
'Epo, ai thotë se një ngjarje duhet të përshkruhet sikur ka ndodhur në të shkuarën, në të tashme ose në të ardhmen kjo varet nga këndvështrimi ynë. Për shembull, nëse bëjmë seks sot, për mua është një ngjarje e ardhshme nëse flasim tani...'
'Nëse do të jesh me fat.'

'Nëse do të jem me fat. Por aman është një ngjarje që ndodh në të tashme në momentin kur ky veprim ndodh...'
'Nëse zgjat aq shumë sa ne ti kushtojmë vëmendje.'
'...dhe një ngjarjen që ka ndodhur në të shkuarën kur ka përfunduar.'
'Të gjitha po ndodhin shumë shpejt për eksperiencën time. Dhe si e vërteton kjo gjë se koha nuk ekziston, profesor? '
'Sepse në realitet e përcaktojmë këtë ngjarje në lidhje me marrëdhëniet që kjo ngjarje ka me ngjarjet e tjera. Për shembull, në fillim më duhet të ta heq tutje këtë tharësen e flokëve dhe ta heq nga priza.'




'Po i kam akoma flokët e lagur.'
'Epo, atëherë më duhet që të të heq këmishën.'
'Nuk është e nevojshme ta bësh por ma merr mendja se është më qejf nëse e bën.'
'Pastaj me duhet të të heq kilotat.'
'Pa dyshim që është më qejf.'
'Shiko, pikërisht në këtë moment fillojnë problemet filozofike. Nëse secila prej këtyre ngjarjeve në këtë seri është në fillim në të ardhmen, pastaj në të tashmen, pastaj në të shkuarën, lidhje e tyre më ngjarjet e tjera në këtë rend nuk ndryshon. Kështu që radha e ngjarjeve është absolutisht e fiksuar...'
'Vetëm sepse ti je një krijesë e zakonit dhe jo e imagjinatës.'
'Dhe nëse radha është e fiksuar, sekuenca në vetvete nuk mund të na tregojë asgjë rreth kalimit të kohës. Koha mund të ngrihet dhe sekuenca mund të jetë e njëjtë. Kështu që ne mund ta heqim sekuencën si të papërshtatshëm. Dhe si rrjedhojë kemi vetëm cilësitë e një ngjarjeje që ka ndodhur në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen. Por siç e thamë, këto cilësi varën tërësisht nga këndvështrimi i vëzhguesit, dhe për më tepër ato janë reciprokisht të përjashtuara. Një ngjarje nuk mundet që në mënyrë të brendshme të zotërojë cilësitë e të ndodhurit në të ardhmen në një moment dhe në të shkuarën në një moment tjetër. Kështu që ne na duhet të pranojmë se çështja kohë nuk ka të bëjë më ngjarjen. Koha është tërësisht subjektive dhe sigurisht që ky mund të jetë një iluzion. Nuk mund të gjejmë asnjë provë që të konfirmojë përshtypjen tonë se koha shkon.'
'Erien? '
'Po? '
'A ta kanë thënë ndonjëherë se flet shumë? Dhe nëse nuk do të flisje kaq shumë mund ta përdorje gjuhën për të bërë gjëra të tjera? '
'Mm? '
'Kështu është mirë.'

*
' A u themi të na sjellin edhe një çajnik tjetër? Ky çaji të linte shumë për të dëshiruar.'
'Do të na thonë të paguajmë për të dy çajnikët.'
'S’ka problem. Jemi me pushime.'
Ia bënë me dorë kamerierit që vazhdonte të këndonte vetëm nën sfondin e grupit Europop. Erieni porositi një çajnik tjetër me çaj dhe më pas i hodhi një vështrim Helenës, e cila ia pasoi vështrimin më sytë e saj të jashtëzakonshme me ngjyrë manushaqe, një ngjyrë, mendoi Erieni që ishte shumë afër me blunë ndërkombëtare të Yves Klein. Ajo ishte djegur pakëz nga dielli në hundë dhe në mollëza, gjithashtu dukej e shëndetshme, e çlodhur dhe shumë e bukur. Në fakt ajo ishte kaq e bukur, mendoi Erieni saqë ai kurrë nuk do të ishte në gjendje ta linte.
Të dy hodhën një vështrim përtej derës së hapur të kafenesë që gjendej përgjatë Promenade des Anglais. Një aeroplan pasagjeresh gumëzhinte nëpër qiellin me ngjyrë blu të thellë në qiellin e nxehtë të nëntorit dhe dielli i vonë i pasdites ndriçoi detin e qetë.

READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success