Këtë natë
si një qenie e vogël do të bredh mbi trupin tënd,
si mbi re të buta do të shkel.
Në çdo hap do të ulem të të puth,
në çdo puthje një qiell të tërë dashurie do të derdh
mbi ty.
Nga skaji në skaj do ta përshkoj mbretërinë tënde,
të prek çdo gënjeshtër që fsheh kurmi yt.
S'e di a do të më mjaftojë gjithë jeta
të mbaroj udhëtimin e kësaj nate.
Në frymëmarrjen tënde do të hidhem
si në një lumë të nxehtë
dhe le të më mbysë.
Në flokët e tua do të fsheh trupin tim të lakuriqtë.
Gjuhën tënde të ëmbël do shijoj
gjer në pikë të fundit.
Trupin tënd do të përshkoj sot,
gjithë natën e natës,
trupin tënd që dridhet mbushur
me sirena alarmi që ushtojnë anë e mbanë.
Sonte,
një nga një do t'i shuaj
gjithë yjet që djeg mishi yt. Pastaj
mbi faqen tënde lodhjen time do mbështes dhe
kur qetësia të na mbështjellë
dhe kur gjumi të na marrë,
duke gdhirë do të jetë.
1992
This poem has not been translated into any other language yet.
I would like to translate this poem
"dawn it will be" when we have known each other, when we have sated of each other, in body and soul. Good