Periferikët Poem by LINDITA ARAPI

Periferikët

Këtu
Ku nuk ke as vend ku të qash
Në shtëpiza si kuti shkrepseje
Mureholluar nga britmat e fqinjëve
As dënesat s'janë të tuat.
Këtu
Njerëzia rrojnë duke u qarë me njëri-tjetrin
Nënat janë xheloze për ankimet që askush nuk i dëgjon
Njerëz periferikë, botëharruar
Dinë të urrejnë të afërmit
Por duan të huajt.
Gjithë ditën e Perëndisë
Plakat bëjnë magji.
Dhe vajzat kanë fate të lidhura.
Janë rralluar burrat.
Asfiksi pa ujë.
Në oborr petaleve iu mbahet fryma
Nostalgjia është njësoj si më parë
Qysh kur kam lindur unë
Vetëm gjethet janë ndërruar sipas stinëve.
Nata bie më shpejt, e rëndë
Si fataliteti i periferive pa hapësirë
Nuk mundem kurrë të jem e lirë…
Atëherë mua do të më vdisnin prindërit.

COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success