E IMJA TOKE E PERGJAKUR
E imja tokë e përgjakur…….
E stërlashta, e zeza dhe e etura e tretur.
Prej detit, malit dhe mëkatit ke lindur.
Rritur mes kaltërsive të tyre të djegura.
Humnerave të natës ku prehet qetësia pikëlluese.
Mes gjelbërimit dhe të kuqes së zvenitur
dhe klithmave të barit tend të fishkur,
që kurrë klorofilit s'iu bë dritë mikluese.
Me mitet dhe legjendat e moçme,
flen nën gurët e tu të lashtë,
gjymtyrët e përzhitur nëpër zjarre.
Ulërimat e paharruara të fëmijëve,
arratisur prej djepit si zogj shtegëtarë
humbur golleve të nëmura të malve.
Ti je e serta dhe e ashpëra ime ëmbëlake.
Drita e largët e një komete të padukëshme.
Je rrokullisja e këmbanave të pazëshme.
Gjaku i pampiksur, që rrjedh syve të të vrarit.
Guva e pashtershme e valleve të oxhakut.
Honi i hapur i poetit dhe varri i humbur i ushtarit.
Qiejve të ftohtë të shkurtit çlodhet fryma jote,
shikimi yt i vrarë prej dritës së turbullt,
që mezi zbulon zbehtësinë e vdekur.
Atje, fundit të rrëpirave të tua dërrmuese,
ku befas shkëlqen një vështrim prej të varfëri
dhe një paqe tinzare fytyrë ngërdheshur.
This poem has not been translated into any other language yet.
I would like to translate this poem