Hazreti Dritëro, Lamtumirë! Poem by skender iljaz braka

Hazreti Dritëro, Lamtumirë!

Hazreti Dritëro, lamtumirë!
Sot, u shua zëri yt,
ai zë që përjetësisht i ndriçuar
do të jehojë prej agimeve të tua kristalore, .
Sot, prej tharmit të zisë kapëlloi buzëmbrëmjen
era e lagësht e dimrit,
- Iku Dritëroi, iku…
Si djalli i errësirës dhe ëngjëlli i dritës së agimit.
Iku, siç ikin të thjeshtët poet
ngarkuar me dhimbjen e thellë, të shpirtit.

Në ninëzat e botës,
mbërthyer mbeti një çast pasthirrma mortore.
- Iku Dritëroi, iku!
Korifeu i belbëzimeve tona shekullore.
Shenjti që fjalës sonë i dha shenjtërimin.

Zemrave të ndara në miljona copëzash
hyri ngrica e acartë, flladi i akullt i hidhërimit,
Vajtimi i thekshëm i Ajkunjës hyri.

Hazreti Dritëro!
Ndali fryma jote mbi përgjumjen e ditëve.
Mbi pirgje gërmadhash ndali.
Ndali mbi ledhe dhe traversa të brejtura krimbash.
Hazreti Dritëro, përse kësaj here na lëndove?
Përse n'a ike kështu pabesisht?

Lotë të ngrohtë një e nga një u këputen
si petalet e porsasçelura të luleve
si kristali derdhen sot për ty.
Lotët e atyre që të uritur do të nxitojmë
ndër mijëra vite pas hijes tënde të plakur.
Do të nxitojmë pas madhështisë
dhe trandafilave të tu të përgjakur.
Lamtumirë Hazreti Dritëro, lamtumirë!

Ti ike ngarkuar me dhimbjen e njerzve te lodhur.
Shpirti yt do të fluturoj mbi flatrat e Feniksit
dhe prap në baltën e djegur të tokës tënde
ka për tu kthyer si pikëllimi,
që i mbetet buzëve të dridhura.
Si besa që i mbeti shpirtit të kreshnikut.

Hazreti Dritëro!
Kanë ardhur për të përcjellë nga gjithë shqipëria.
Varganë bujqërish të trishtuar kanë ardhur
me plore dhe makineritë e tyre të vdekura,
Ka ardhur dhe një poçar me poçe të thyera.
Një mërgimtar i largët me shkrimet e tua të vyera.
Kanë ardhur mimozat dhe zymbylat dimëror.
Devollinjtë e tu të përmalluar kanë ardhur.
Grunajat e përthyera mes luftërash përvëluar.

Bashk me trandafilat kanë ardhur dhe ca spurdhiak
Ca gjëmba֛ç të verdhëm, të rritur mes mushkonjash
dhe kandërrash që tutje rrinjë si mjeranë.
Kanë ardhur tër mllef e sarkazëm
që dhe një herë mbi qivurin
dhe kockat e tua të xhveshura të pështyjnë,
të përbaltin, duke përbaltur gjithë artin.
Kanë ardhur dhe ata që përherë iu shmangën syrit tënd,
Ata që nën ligështinë e vdekjes, vdesin të vetmuar.

Për pak minuta,
përpara teje në heshtje qëndroj si guri mbi varr,
me dhimbjen e trandafilit të bardhë në gji.
- Hazreti Dritëro, lamtumirë!

Hazreti Dritëro, Lamtumirë!
Sunday, February 4, 2018
Topic(s) of this poem: poem
COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success