Pikë, pikë pikon lëngu i limonit.
Në rrethin tim të dhimbjes hap rrathë valësh.
Kohë e ngurosur në një gur të stërmadh
rrethuar me gjerdanë plagësh.
Diku mes rrathësh, bisqe të harlisur karafilësh priten.
Bien si zërat e vrazhdë, që përgjigjen kërkojnë.
Bien në të njëjtët rrath, ku asgjë s'pipëtinë,
aty rriten vetëm dhimbjet,
aty ku shpresat si yjet fiken.
Syri i honit dridhet prej tmerrit të lëngut të gjelbër.
Si shapkë e ngordhur mbi kreshtat e valëve
në një dimër të mardhur.
Gjithçka para syve të mi shkon përtej imagjinatës,
ku veç lëngu i limonit kurrë nuk shteron.
Pikë, pikë..pikon.
Pikon gjaku prej një fytyre të zbardhur.
Në të pakët përhimtësi, që mbrëmja më dhuron.
Frymën e fundit të shpresës mbaj mbi brigje lotësh.
Dhe njëherë mundimshëm risillem nëpër
Këto rrathë flakësh.
Nëpër keto rrathe lotesh..
Dhe një herë në majë të gishtërinjëve
do të kridhem në këtë det të gjelbër.
Pa arritur të kuptoj pavërtetësitë e jetës.
Pa mundur të shpreh atë ç'ka kam dashur të them,
si vullkan shpërthyer prej thellësive të zemres.
Pikë, pikë pikon lëngu i limonit
në rrethin tim të dhimbjes.
Në rrethin tim të dhimbjes pikon, pikon.
Pikë.....Pikë pikon.....
This poem has not been translated into any other language yet.
I would like to translate this poem