Me Fytyrën E Pranverës Poem by skender iljaz braka

Me Fytyrën E Pranverës

Me fytyrën e pranverës rilindem dhe vdes,
kur valët buzë detit sodis
dhe gjethet e porsaçelura të kumbullës përshëndes.

Gjoksit më lëshohen krahtë e tu,
si e bardha mjegull që shtrihet mbi oaze.
Prej flladimit të mëndafshtë
thith ravijëzimet e meteorit blu.
Vdekjes pak më shumë jetë i kërkoj,
veç për sytë e tu që digjen porsi zjarre.

Me zërin përgëdheltar të natës.
Me zërin tingëllues të gjetheve.
Me zërin e tokës së shëndetshëme.
Nxitoj me ty pas oshëtimës së pandërprerë të valëve.
Të dy mësyjëm lagëmeve të nëndheshme.

Me fytyrën e pranverës kam vrapuar
për një kohë të gjatë pas valëve.
Pa arritur të ndjej pikëllimin therës të humnerës,
që gjer tek mua vjen me zërin e ngjirur të skëterrës.

Cili është zëri i detit, rrahur përjetësisht prej valësh?
Me fytyrën e pranverës u bëra bir i qiellit,
që më dhuroi skeptrin e diellit,
që më kurorëzoi perandor të universit.

Njeriu me fytyrën e pranverës mbeta gjer në vdekje,
se për ty bënda shpirtit rrita dalëngadalë
lulet aromëmbëla të mëngjesit.

Tuesday, July 15, 2014
Topic(s) of this poem: love
COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success