Mos E Kërkoni Përtej... Poem by skender iljaz braka

Mos E Kërkoni Përtej...

Veç një qiell shoh tutje këtij horizonti.
Ku tjetër do të mundem të vështroj sytë e bukur e të sertë?
Sytë, që dallgët mizore të detit përgëdhelin e përlotin.
Sytë që urtësojnë ulërimën e frikshme të përtej honit
dhe vrazhdësinë e një përbindëshi kanosës
me gjak të shprishur, që i rrjedh e i rrjedh nëpër dej

Ku do mund ta pikas atë ujvarë dritash,
që prej gojës së qiellit të hapur më përplaset mbi gjoks?
Ah, dhe një herë në i preksha ato duar të buta!
Ato duar që tërheqin e majë gishtash rrotullojnë këtë botë.

Mbi këtë det sysh që të ashprën heshtje derdhin,
që shpirtin ma thërrmojnë ranishtes papushim.
Si një reliev memec, prej dherash do më hedhin,
atje ku asgjëkundi s'do të prehet e do shihet shpirti im.

Jo, mos e kërkoni më kot përtej këtij qielli.
Kurmin e saj lakuriq në ca shkëndija dritash për tu ndezur.
Unë përherë e shikoj tek dihat brigjeve të pack të një deti
kur prej rraskapitjesh rilindem dhe ngatërrohem
si shelgu lotues me kurmin e saj të hirtë.

Thursday, May 29, 2014
Topic(s) of this poem: art
COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success