NË STUDION DIMËRORE Poem by ISMAÏL KADARÉ

NË STUDION DIMËRORE

1.
Dritaret u trandën, jashtë po ndodhte diçka.
U afrova të shoh, gjëmimet vallë ç'qenë.
Gjethe të rrëzuara, si krahë zogjsh, në një hata.
Dhe një breshër si shtresa perlash mbulonte dhenë.

Ç'janë ato zonja, vallë, që shkundin qafat, atje lart,
Që si breshër shkundin perlat, stolitë?
Diçka ka ndodhur, pa dyshim diçka
Në tokë, në qiell, në shpirtëra.

Diçka ka ndodhur ?
Veç te ti përherë
Në trurin tënd e jashtëzakonshme ngjan gjithçka.
Kurse në të vërtetë
Dimri erdh në derë
Kjo veç ka ndodhur e gjë tjetër s'ka.

2.

Flokët gjysmë të ngrirë,
Të ftohur krejt
Si nga qëndra e dimrit
Ti erdhe drejt.

Ca kokrriza breshëri
Solle me vete që jashtë.
Që kishe diçka nga qielli
Kjo dukej haptas.

Diçka nga dritë të tij
Opake, enigmatike.
Kokrrizat e breshërit
Shkrinin pikë-pikë.

Kështu fjalët e tua
Shndërroheshin në dënesë
Për të ngrirë sërish
Në frizerin e kujtesës.

3.

Përskaj raftesh të bibliotekës së bardhë
Pasi ike, unë qëndrova në qoshe
Hija e mbretit Hamlet u shfaq
Dhe u zhduk ngaqë s'ishte e nevojshme.

Deliri shumëgjuhësh i Xhojsit
Më ofron shërbimin e tij.
E gjatë është pasditja, më thotë,
Në punë mund të të hyj.

Ç'dialogë të dashuruarish, të ndarësh
Ç'letra, ç'memuare të hap?
Ja gjysmëpërçart murmurisin në qoshe
Zelda dhe Skot Fitzxherald.

Por unë largohem më tutje
Në rafte të tjerë ik
Më fal, Volodja Majakovski,
Më fal, dhe ti, Lili Brik.

Kaloj ngadalshëm bri raftesh
Ke do doja të ngjallej sërish?
Të pyesja për ferrin Danten?
Gjithçka e ka thënë imtësisht.

T'i bëja ndoshta Eskilit,
Një naive, vulgare, pyetje:
Më të mira ishin dramat që humbën,
Nga. ato që kanë mbetur?

Iki më tutje, e pafundme
Prej tyre më ngjan kjo dhomë.
Ja Pushkini, hapat i ndal:
Për Ana Kernën tregomë.

Ndonjë ditë pa dyshim ka ardhur
Në flokë me kokrriza breshëri ?
Më trego shkrirjen, dënesën
E kthimin pastaj në perla.

Me trego atje thellë nën tokë
Poeti ditët si i ngrys,
Atje ku nuk mbërrin lavdia
E as turpi, natyrisht, nuk mbërrin.

4.

Porsi çifuti i kthyer në fe tjetër
Ia behu shiu i konvertuar në breshër.

Sa herë shiu në qelqe do trokasë
Ti do të vish këtu dhe në mos ardhsh.

Qofshë si muzikë, si pikiëllim apo si kryq
Unë do të njoh e do të çohem vrik.

Dhe si ai që guackës perlën ia merr
Nga muzika, kryqi a vdekja do të të nxjerr.

COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success