REKUIEM PËR MAJAKOVSKIN Poem by ISMAÏL KADARÉ

REKUIEM PËR MAJAKOVSKIN

Kam ngrënë në një tryezë me vrasësit e tij
Në shtëpinë e pushimit të shkrimtarëve në Dubulti, në Jalta.

Buzëqeshnin dhe flisnin për realizmin socialist,
Ndërsa gjaku i tij skuqte mbi qelqet e makinave,
Mbi xhaketat, karriget, rrogat e tyre,
Mbi fytyrën kuqaloshe të Jermillovit kritik.

I binin gjoksit dhe flisnin për realizmin socialist
Në presidiume me stof të kuq, nën emblema me yll,
Ndërsa atë shtrirë gjerë e gjatë në tokën e zezë
Dimri rus e ngrinte, për ta shkrirë në prill.

Forcë e errët e veshur me rroba socialiste,
Turmë kritikësh xhuxhë, spekulantë, karrieristë
Sulmonin në marshin shekullor të mediokërve :
«Ti ishe i madh, po ne ta hëngrëm kokën.»

Po ja, bronzi i tij në sheshin «Majakovski»
U ngrit dhe i vrenjtur vështroi vitet që vinin.
Pas turmës së vrasësve që i njihte, ai pa
Si retë e para të kundërrevolucionit nxinin.

COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success